
2025 · Për fëmijë · Mosha 7+
Lustër, për një përrallë
Një djalosh vendos të lustrojë këpucë në këmbim… të një përralle. Po, po, e lexuat mirë.
Blije librinRreth librit
“Lustra-Lustra” ka qenë një thirrje e vjetër, kur ende ekzistonte zanati i lustraxhiut, njeriut të shkathët që lustronte e bënte xixë këpucët e kalimtarëve në shkëmbim të pak lekëve. Dhe rrëfenja jonë sillet pikërisht rreth një djaloshi të vogël që, një ditë, vendos të lustronte këpucë në këmbim… të një përralle. Po, po, e lexuat mirë.
Eduardi, që mban emrin e një mbreti, ka një familje aq të varfër, saqë nuk i blejnë dot as një libër me përralla. Ndaj, vogëlushit me ide gjeniale, i shkrep në kokë të lustrojë këpucë dhe t’i fitojë vetë paratë për të blerë librin.
Dora-dorës që vijnë klientët, burra, gra, të mirë e dinakë, secili prej tyre do t’i dhurojë Eduardit jo vetëm një përrallë të mrekullueshme — një botë plot imagjinatë dhe aventura, ku përzihen kafshë e njerëz, piratë e thesare, dashuria dhe mirësia, mençuria dhe budallallëku — por do të nxjerrë në pah bujarinë dhe zemërgjerësinë e këtij djali ende të vogël, por mbret në shpirt e në mendje.
Dashuria për librin, për rrëfenjat, për dijen, do ta bëjë Eduardin njeriun më të lumtur e më të pasur në botë.



