Kalo te përmbajtja
Kthehu te librat
Aria – Në dorën time

2025 · Për fëmijë · Mosha 10+

Aria – Në dorën time

Libri i tretë i serisë: pushimet në det shndërrohen në një udhëtim nëpër gjithë Shqipërinë historike.

  • Fitues · Libri më i mirë për fëmijë 2025
Blije librin

Rreth librit

“Aria – Në dorën time” (ose Aria 3, siç mund ta quajnë fëmijët) është vijimi i aventurave dhe i bëmave të Arias, çamarroke e mendjemprehtë.

Aria, si plot fëmijë të tjerë, e do shumë detin, por nuk e ka parë asnjëherë. Bika, vullnetare në shtëpinë e kujdesit ku jeton Aria me të vëllain, Rainin, i ka dhënë fjalën se, pasi të mbarojë shkolla, do t’ia plotësojë ëndrrën: “Pushime në det me Bikën dhe familjen e saj”.

Mirëpo, asgjë nuk mund të shkojë sipas planit që ka thurur Aria në kokën e saj, për shkak të bashkëshortit të Bikës, Pineos, harraq e shumë i dhënë pas punës. Ai është arkeolog dhe i pëlqen shumë historia, rrënojat e kështjellat, por ka harruar premtimin që i ka bërë Bikës dhe djalit të tyre, Milos. Teksa kërkon referatin (të cilin Aria, me lojërat e mendjes së saj, e quan “Refat”) që do ta mbajë në kongresin e arkeologëve, zbulon se nuk e ka më dhe duhet ta kërkojë nëpër vendet historike ku ka qenë një javë më parë.

Në dilemën mes punës dhe familjes, Pineoja, për të mos dalë gënjeshtar para të birit, do të thurë një plan me anë të të cilit mendon edhe të punojë vetë, edhe të zbavitë fëmijët. Ndaj, ai propozon që të vizitojnë gjithë sitet arkeologjike, kështjellat dhe vendet historike që ka Shqipëria.

Kësisoj, pushimet në det befas shndërrohen në një udhëtim të mrekullueshëm nëpër gjithë Shqipërinë. Tre fëmijët, Aria, Raini dhe Miloja, bashkë me të rriturit (ndër ta edhe Ciceroni, që Aria e quan “Ciu-ciu”) do të vizitojnë qytete antike e vende historike si Apolonia, Bylisi, Gjirokastra, Berati, Lezha, Kruja, Shkodra e të tjera, pa lënë mënjanë dashurinë e Arias për bregun magjepsës të detit, që nga Jugu gjer në Veri.

Mes situatave plot humor e batuta, kredhjeve në detin kaltërosh dhe zbulimit të bukurive të vendit tonë, ky libër është një letër dashurie për atdheun tonë të dashur.

Zbulimi i historisë së atdheut përmes humorit të Arias, mënyrës se si ajo ndryshon emrat e legjendat për t’i mbajtur mend më mirë, është një metodë e mirë nxënieje përmes zbavitjes, e cila mund të përdoret si nga mësuesit, ashtu edhe nga prindërit. Fëmijët do të mësojnë për qytetet antike, kështjellat dhe heronjtë e vendit tonë në një mënyrë argëtuese dhe tërheqëse, duke zbuluar traditat, zakonet dhe legjendat shqiptare përmes syve të një fëmije kurioz.

Ky libër është edhe për prindërit që, të ngarkuar me punë e telashe, shpesh harrojnë se fëmijët kanë nevojë për vëmendjen e tyre, për të bërë aktivitete të ndryshme së bashku, për të kaluar kohë cilësore me ta, e mbi të gjitha, për të krijuar kujtime të paharrueshme. Leximi i këtij libri së bashku me fëmijët mund të bëhet një përvojë familjare e veçantë dhe e bukur.