Kalo te përmbajtja
Kthehu te librat
Tekno – Broni

2024 · Për fëmijë · Mosha 8+

Tekno – Broni

Në një qytet të së ardhmes shuhet Kujtesa e fjalëve, dhe Broni niset të gjejë “Li…ilaçin”.

Blije librin

Rreth librit

Broni është një djalë 8-vjeçar që jeton në një qytet të së ardhmes. Atje, gjithë jeta rrjedh vetëm përmes sistemeve teknologjike, madje edhe ushqimet nuk janë më natyrore. Mirëpo, një natë sistemi pëson një defekt, për shkak të të cilit shuhet Kujtesa e fjalëve. Nëpër kompjutera zhduken përrallat, historitë, fjalorët, ndërkaq çdo burim i fjalëve është djegur me kohë.

Dalëngadalë, Banorët fillojnë të ngrijnë, ndaj Bronit i duhet të kalojë Cakun-Kufi për të gjetur “Li…ilaçin”, që gjendet në botën e Antikëve. Këta të fundit jetojnë jashtë qytetit, pa teknologji, tërësisht sipas ligjeve të natyrës.

Takimi me Guri Këmbëzën, një djalosh 10-vjeçar, të cilit i pëlqen shumë që të bredhë zbathur e të argëtohet, i jep zemër Bronit për udhëtimin më të gjatë të jetës së tij.

Dy djemtë nisen në kërkim të ilaçit magjik dhe ndërkaq njohin më mirë njëri-tjetrin, përballen me vështirësi të panumërta e aventura nga më të çuditshmet. Përgjatë rrugës do të takojnë shumë njerëz, të gjithë me profesione të vjetra, si druvarë, farkëtarë, peshkatarë, muzikantë, që i kryenin punët pa ndihmën e kompjuterave dhe robotëve.

Takimi i tyre me “Vetmitarin” do t’u shpalosë një botë krejt të re dhe do të zbulojnë që “Libri është ilaçi i shpirtit dhe i mendjes”. Botët nga vijnë dy djemtë kanë shumë ndryshime, por ajo që i bashkon do t’i shpëtojë të gjithë.

Me humor shumë të hollë përshkruhen situata gazmore që lindin nga keqkuptimet gjuhësore mes Bronit të vogël — që vjen nga një botë teknologjike dhe çdo gjë që di e ka mësuar përmes Kompit — dhe Këmbëzës e Antikëve të tjerë, që përdorin një leksik të larmishëm, plot shprehje frazeologjike. Gjë që u pasuron fjalorin fëmijëve gjithnjë përmes zbavitjes.

Ky roman nuk është vetëm një përballje mes botës së re tekno dhe asaj të vjetrës, ku çdo gjë bëhej me dorë, por u tregon fëmijëve se vërtet teknologjia ka shumë të mira, ama çdo gjë duhet përdorur me masë, pa harruar kontaktin me natyrën. Caku-Kufi është ai ekuilibri i hollë që duhet të ruajmë për të mos humbur lidhjen me Natyrën.