Kalo te përmbajtja
Kthehu te librat
Aria – Hidh e prit!

2022 · Për fëmijë · Mosha 10+

Aria – Hidh e prit!

Libri i parë i serisë. Aria do vetëm një gjë: të mos ndahet kurrë nga i vëllai.

  • Fitues · Libri më i mirë për fëmijë i vitit 2022
Blije librin

Rreth librit

Aria është një vogëlushe dhjetëvjeçare, e cila së bashku me Rainin, vëllain dymbëdhjetëvjeçar, jetojnë në jetimore pas vdekjes së prindërve në një aksident automobilistik, disa vite më parë. E vetmja dëshirë e Arias është që të mos ndahet kurrë nga Raini, në mungesë të të cilit nuk merr dot as frymë.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të drejtoreshës së jetimores dhe kujdestares Nada për të gjetur një familje që t’i birësojë të dy fëmijët, nuk ka mundur të gjendet një e tillë. Deri në çastin kur shfaqet zonja Marta, e cila kërkon të birësojë vetëm Rainin. Atij i pëlqen kjo ide, motrës së tij, jo.

Kështu fillojnë përpjekjet e vogëlushes për të mos lejuar ndarjen nga i vëllai. Ai i kërkon gruas që të marrë edhe të motrën me vete në javën provë, një mënyrë kjo për të kuptuar nëse do të përshtaten me njëri-tjetrin fëmijët dhe familja birësuese.

Kështu, fëmijët kalojnë një javë në shtëpinë e zonjës Marta dhe zotit Giljan. Ata janë shumë të pasur dhe, veç pranisë së një fëmije në jetën e tyre, nuk u mungon asgjë. Aty do të ndodhin plot aventura të paparashikuara, ngatërresa dhe prapësi, por sidomos do të zbulohen shumë “leksione jete” që zënë fill drejt e në zemrën e Arias, e cila beson se njeriun duhet ta udhëheqë dashuria, ashtu sikurse familjen e mban dashuria dhe jo numri i pjesëtarëve të saj.

E ndërkohë që Aria herë me dashje e herë pa dashje bën lëmsh jetën e të gjithëve, zbulohet arsyeja e vërtetë se përse zonja Marta kërkon të birësojë vetëm Rainin. Veçse ardhja e Arias në jetën e gruas do të thërrmojë muret mbrojtëse që Marta ka ngritur përreth vetes, duke i dhënë mundësi që të hapë zemrën dhe të kuptojë se Raini nuk është djali i saj, por vëllai i vogëlushes. Ama, kur hap zemrën, gjithçka është e mundur.

Dashuria pa kushte për pjesëtarët e familjes, uniteti dhe sakrificat për njerëzit e dashur janë thelbi i një familjeje të bukur e të shëndetshme.

Energjia pozitive e Arias, guximi, krenaria, dashuria për të vëllanë, të bëjnë të reflektosh dhe të jesh mirënjohës për gjithçka ke. Dhe më e rëndësishmja në jetë, ajo që mbetet pavarësisht rrugëtimit tonë, është edhe mesazhi kryesor që Aria na e tregon gjatë gjithë historisë së saj: njeriun duhet ta udhëheqë dashuria!