Kalo te përmbajtja
Kthehu te librat
Aria – Fët e fët!

2023 · Për fëmijë · Mosha 10+

Aria – Fët e fët!

Libri i dytë. Jetimorja përmbytet dhe Aria vendos ta riparojë vetë, bashkë me dy zemra të tjera.

Blije librin

Rreth librit

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe!” — Nënë Tereza.

Ju tashmë e njihni Arian çamarroke dhe vëllanë e saj, Rainin. Një natë, jetimorja ku jetojnë ata përmbytet, ndaj ata shkojnë të jetojnë te apartamenti i Adelës dhe Noldit, të cilët dolën vullnetarë për të strehuar fëmijët sa të kthehen në jetimoren e rregulluar. Adela dhe Noldi janë një çift interesant, që bashkëjetojnë, por ende kanë frikë ta marrin seriozisht të ardhmen e përbashkët.

“Nga shiu në breshër” është shprehja që i shkon për shtat situatës në të cilën do të gjenden motër e vëlla në jetesën modeste të çiftit.

Por për fëmijët, bashkëjetesa me çiftin e ri është një aventurë e pambarimtë që shkon paralel me përpjekjet e Arias për të riparuar jetimoren, vendi i vetëm që njeh për shtëpi. Askush s’ia ka caktuar këtë detyrë. Në fund të fundit, është shumë e vogël. Por ajo nuk pret t’i japin detyrë për të bërë gjërat që i ka për zemër.

Duke jetuar me Adelën dhe Noldin, Aria arrin të pikasë dashurinë e tyre të thellë dhe dëshirat e fshehura që ata vetë nuk kanë guximin t’i shfaqin. Kështu, detyrat e Arias bëhen dy: veç këmbënguljes për ta bërë sërish të banueshme jetimoren, në mënyrë që fëmijët t’i kthehen jetës së tyre normale, Aria dëshiron edhe që të bëjë realitet ëndrrën e heshtur të Adelës dhe Noldit për të ndërtuar folenë e tyre të dashurisë, familjen.

Aria nuk mund të rrijë duarkryq sa herë që kupton se dikush ka nevojë për ndihmë, një shtysë, një dorë të zgjatur, një vesh për të dëgjuar apo një sup për të mbështetur kokën. Ajo, edhe pse e vogël, nuk ngurron të bëjë më të mirën që mundet. Përballë burokracisë që zvarritet me hapat e një breshke të përgjumur, Aria qëndron e palëkundur për të arritur qëllimin e saj.

A do t’ia dalë mbanë një çamarroke si Aria që përpiqet t’i bëjë gjërat fët e fët? Aventurat e Arias nuk kanë të sosur dhe të krijojnë idenë se ajo i kërkon telashet me qiri.

Le të udhëtojmë edhe ne me Arian dhe personazhet e tjera, mes situatave të papritura dhe humorit, duke e shijuar këtë përvojë, por mbi të gjitha, për të nxjerrë disa mesazhe me vlerë.