
2023 · Për fëmijë · Mosha 8+
Zgjohu Kërshëri!
Pesë kushërinj kthehen në Fshatin e Bekuar dhe zbulojnë se në një shpellë jeton i Madhërishmi Kërshëri.
Blije librinRreth librit
“Kur je fëmijë, kërshëria është gjithnjë me ty; kur rritesh, kujtohu ta zgjosh!”
Joni, Amla, Aulona, Glauku dhe Arbri janë pesë fëmijë nga 10 deri në 13 vjeç. Ata janë kushërinj, por edhe shokë të ngushtë me njëri-tjetrin. Pas një kohe të gjatë largimi, kthehen për pushime verore në vendlindje, një vend i mrekullueshëm që quhet Fshati i Bekuar. Fshati është vërtet i bekuar nga natyra: atje janë bërë bashkë deti i kthjellët dhe gjelbërimi i pamatë. Për fat të keq, prej disa kohësh, fshati është braktisur për shkak të emigrimit. Kanë mbetur vetëm pleqtë, që shohin nga rruga duke pritur fëmijët.
Në fillim, pesë të vegjlit tanë nuk i kanë me qejf pushimet verore në një vend ku kanë mbetur vetëm gjyshër e gjyshe dhe teknologjia s’ka mbërritur asnjëherë. Nuk u hyn në sy as deti e guralecët shumëngjyrësh, rrezet e diellit apo ajri i pastër me shije kripe.
Kjo, derisa zbulojnë sëndukët ku prindërit e tyre kanë ruajtur disa sende me vlerë. Një fyell, melodia e të cilit vë në gjumë vetëm të rriturit, por askush tjetër veç Jonit nuk mund ta përdorë, pasi i përket mamasë së tij. Aulona zbulon në sëndukun e mamasë një bllok dhe një laps ku gjithçka që vizatohet bëhet reale, dhe vetëm ajo mund ta bëjë të mundur këtë. Kurse Arbri zbulon busullën e të atit: vetëm kur ai e var busullën në qafë, shigjeta fillon të lëvizë e t’i tregojë drejtimin nga duhet të shkojë.
Kur ishin më të vegjël, prindërit u kanë treguar një histori me një shpellë të çuditshme. Ndaj, një natë, pasi vënë në gjumë gjyshërit me tingujt e fyellit, nisen që të zbulojnë të vërtetën se çfarë fshihet në atë shpellë.
Shpella është në mes të ujit, por kur bëhen bashkë sendet e prindërve të tyre, uji përpara hyrjes së saj shteret dhe ata mund të futen pa rrezikuar jetën. Fëmijët zbulojnë se në atë shpellë jeton i Madhërishmi Kërshëri, një burrë plak, shumë i rrëgjuar dhe harraq, detaje këto që e bëjnë mjaft argëtues. Koha pranë Kërshërisë kalon pa u ndier; ditët rrjedhin vrullshëm, mbushur përplot me të papritura, zbulime, aventura argëtuese dhe humor.
Kërshëria është një dëshirë, një nxitje apo një shtysë e madhe për të mësuar gjëra të reja që nuk i dimë. Kësaj here është shndërruar në një personazh simpatik dhe të këndshëm që i pëlqen shumë të rrijë me fëmijët, po aq sa edhe fëmijëve u pëlqen të rrinë me të. Vetëm ata munden ta shohin, të rrinë, të luajnë e të flasin me të, ndërsa të rriturit e kanë këputur prej kohësh fillin lidhës.
Kur shfaqet i Madhërishmi Kërshëri, realiteti dhe imagjinata shkrihen dhe krijohet një botë ku ëndrrat dhe dëshirat mund të realizohen.
Çdo ditë e më shumë, fëmijët do t’i sjellin gjallëri Fshatit të Bekuar, njëlloj edhe gjyshërve e të Madhërishmit Kërshëri, i cili prej pyetjeve kureshtare, fantazisë dhe imagjinatës fëminore do të rinohet, do të bëhet një njeri i fuqishëm e me aftësi të pafundme, duke u dhënë mundësinë fëmijëve që të shijojnë fëmijërinë e vërtetë, me miqtë, familjarët dhe mbi të gjitha në vendin ku kanë hedhur hapat e parë.
Vendlindja nuk duhet harruar, kudo që të shkosh e ta ndërtosh jetën. Ajo është zemra e çdo njeriu, aq e rëndësishme për vazhdimin e jetës.
“Mëso nga e djeshmja! Jeto të sotmen! Shpreso të nesërmen! Dhe mos harro të zgjosh kërshërinë!” — i Madhërishmi Kërshëri.



