Kalo te përmbajtja
Kthehu te librat
Mister Ash – Oazi i sekreteve

2023 · Për adoleshentë · Mosha 12+

Mister Ash – Oazi i sekreteve

Një hije që i ndjek ngado, një oazë sekretesh dhe një javë pushimesh e paimagjinueshme.

Blije librin

Rreth librit

Për të realizuar një projekt shkolle, grupi i nxënësve të shkollës publike “AJ” mbërrin në kampin e sërfit, disa orë larg qytetit. Kampi prej disa vitesh është braktisur për shkak të një uragani dhe shkolla “AJ” tanimë është pronare e ndërtesës në buzë të detit. Fëmijët i shoqëron kujdestarja Lusi.

Mirëpo, kur mbërrijnë në kamp, përballen me një surprizë aspak të këndshme. Edhe shkolla jopublike “Gjenerata e re” ka një projekt shkollor: kthimin e kampit të sërfit në një kamp pushimesh verore. Fëmijët janë nën kujdesin e zonjës Debora, e cila është krejt e kundërta e kujdestares tjetër në gjithë sa bën e mendon.

Derisa dy kujdestaret ta zgjidhin këtë ngatërresë, do t’u duhet të jetojnë bashkë nën të njëjtën çati. Në pamje të parë, nuk duhet të jetë problem: aty ka vend për të gjithë, edhe për shtatëmbëdhjetë veta, larmi moshash, kulturash dhe veçorish.

Problemet dhe debatet nuk sosin, as kur kuptojnë se ajo bashkëjetesë nuk është thjesht ngatërresë. Grupet janë zgjedhur enkas me nxënës që ruajnë me këmbëngulje, secili, të fshehtën e jetës së vet, pa më të voglën dijeni për të përbashkëtën që i lidh. Kureshtja për të mësuar se përse ndodhen aty, përse pikërisht ata, dalëngadalë shkartis fillin e misterit.

Qysh buzëmbrëmjen e parë të mbërritjes, fëmijët zbulojnë një hije që lëviz dhe i ndjek ngado, por nuk afrohet kurrë aq sa t’ia shohin fytyrën. Gjithnjë duke u përpjekur të mos vihet re, silueta misterioze i ndjek fëmijët në ekskursionet e tyre në pyll ose në plazhin që prej vitesh nuk është shkelur nga këmba e njeriut.

Ndjekja e gjurmëve të njeriut misterioz, që quhet Zoti Ash, dhe zbulimi i sekretit, fshehur në shtegun e palmave, do t’i bashkojë të gjithë. Kureshtja, frika dhe fantazia garojnë për çmimin e parë. Kush është Mister Ash? Çfarë misteri fsheh? A përbën një rrezik nga i cili duhet të ruhen?

Zoti Ash është një burrë shumë misterioz që mbart me vete shumë sekrete, e disa nga ato ka ardhur koha që t’ua tregojë. Nxënësit dhe mësuesit më në fund do të mësojnë se janë pjesë e një grupi të përzgjedhur, që ka për qëllim të ruajë planetin Tokë. Një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, por jo i pamundur, me një qëllim të përbashkët: për të mos u kthyer një ditë në endacakë! Gjithçka fillon nga njeriu dhe përfundon vetëm me të.

Në mes të pyllit, ruajtur nga vetë natyra, rrethuar nga bimë e pemë, pjesa më e madhe e të cilave ose janë zhdukur ose janë në rrezik zhdukjeje, fshihet një oazë sekretesh. “Kushdo që futet në oazë, e ka të pamundur të mos tregojë të fshehtat e strukura në qoshkat më të thella të kujtesës e shpirtit.”

Një histori shumë dinamike, që merr kthesa të befta. Gjithnjë kur mendon se e ke zbuluar misterin, duhet t’ia nisësh sërish nga e para. Një lexim drithërues, plot mistere për t’u zbuluar, mbushur me momente frikësuese që të mbajnë në ajër.

Kjo është një histori për të rinjtë: për rëndësinë që ka njohja e vetvetes; për muret që ngremë, me bindjen se kështu jemi të mbrojtur; për sekretet që i fshehim në skutat më të thella; për frikërat që na pengojnë të shijojmë jetën; për botën që mendojmë se e njohim mjaftueshëm; për eksperiencat e reja, për të vërtetën dhe gënjeshtrën, për guximet dhe kthesat e fatit, dhe për ndryshimet e brezave e sa të gatshëm jemi ta pranojmë njëri-tjetrin.